Site icon Telegrafi

Prodhuesit dhe përpunuesit e qumështit kanë nevojë për përkrahje e jo sulme!

Shoqatat e bizneseve të Kosovës që merren me prodhimin dhe përpunimin e produkteve të qumështit thonë se ju duhet përkrahje në mënyrë që të rrisin pjesëmarrjen në treg dhe të gjejnë vend për prodhimet e tyre të cilat dalin nga fermat kosovare.

Naser Bajraktari, ushtrues detyre i kryetarit të Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit tregon se më herët ata kanë pasur probleme sezonale me plasimin e qumështit të tyre, ndërsa tash plasimi i qumështit është bërë një problem i vazhdueshëm.

Ai thërret që kosovarët të konsumojnë sa më shumë prodhime vendore në mënyrë që të rritet pjesëmarrja e qumështit vendor në treg dhe në këtë mënyrë të ndihmohet jeta në fshat dhe punësimi i të rinjve.

“Deri në dy tri vitet e fundit kemi pasur probleme sezonale, në vitin e kaluar, problemi i shitjes së qumështit është prezent gjatë tërë vitit”, ka thënë Bajraktari në një intervistë dhenë në RTV 21.

Ndërsa kryetari i Shoqatës së Përpunuesve të Qumështit, Ramadan Memaj, thotë se në Kosovë edhe bëhen fushata kundër produkteve vendore, duke tërhequr vërejtjen se këto nuk i bëjnë nderë askujt, as prodhimeve vendore e as konsumatorit.

“Më vjen shumë keq se disa anëtarë të shoqatës janë sulmuar në mënyrë krejtësisht të padrejtë dhe pandershme”, ka thënë ai.

“Prodhimet vendore janë të një cilësie jashtëzakonisht të lartë. Janë produkte të cilat testohen vazhdimisht dhe analizohen. Dhe produkte të cilat garantojnë shije dhe kualitet”, ka shtuar ai.

Ai ka theksuar se përdorimi i aditivëve dhe qumështit pluhur bëhet nga ëmbëltoret dhe prodhuesit e ëmbëlsirave dhe atij i vjen shumë mirë se asnjë anëtarë i shoqatës nuk është duke bërë konkurrencë të pandershme në këtë mënyrë.

“Më vjen shumë mirë që qumështoret e Kosovës nuk janë futur në një lojë të tillë”, ka thënë ai. /Telegrafi/

Exit mobile version