Kompania turke Baykar ka filluar ndërtimin e një fabrike pranë Kievit që do të punësojë rreth 500 njerëz dhe do të prodhojë modelet e saj të dronëve, tha sot drejtori ekzekutiv i kompanisë Haluk Bayraktar.
Ai konfirmoi për Reuters në margjinat e Panairit Botëror të Mbrojtjes në Riad se ka filluar ndërtimi i fabrikës, e cila duhet të përfundojë për rreth 12 muaj, transmeton Telegrafi.
“Më pas kalojmë në ngritjen e makinerive të brendshme, pajisjeve dhe strukturës organizative”, tha ai.
Bayraktar vuri në dukje se kapaciteti i prodhimit do të jetë rreth 120 njësi çdo vit, por shtoi se nuk është ende e qartë nëse prodhimi në fabrikën ukrainase do të fokusohet në modelin e dronëve TB2 ose TB3.
Dronët Bayraktar të prodhimit turk u bënë të njohur në botë pasi ushtria ukrainase filloi t’i përdorte në luftën kundër forcave ruse, për të shkatërruar automjete të blinduara dhe sisteme artilerie.
Baykar njoftoi më herët se kishte nënshkruar kontrata për eksportin e dronit të saj TB2 me 30 vende, duke përfshirë Ukrainën, Etiopinë, Libinë dhe Azerbajxhanin. /Telegrafi/