Telegrafi

Prodhuesi i printerëve 3D nga Kosova “Formon” shpërblehet në Gjermani

Biznesi startup ‘Formon’, prodhues i printerëve 3D, ka fituar çmimin prestigjioz “German Design Award” me printerin 3D të quajtur ‘Formon Core’. 3D Printeri kosovar ka fituar çmimin e artë në kategorinë ‘Excellent Product Design’. Fitues tjerë të këtij viti janë edhe brendet globale si Toyota dhe Siemens.

Juria gjermane ka vlerësuar printerin 3D si “të shquar për thjeshtësinë e përdorimit të tij në krijimin e modeleve 3 dimensionale”.

German Design Award është çmim zyrtar federal që organizohet nga qeveria gjermane për produkte të ndryshme nga e gjithë bota, dhe ndahet nga Ministria për Ekonomi dhe Teknologji e Gjermanisë.

Themeluesi i Kompanisë Formon, Rron Cena, u shpreh krenar që produkti nga Kosova ka fituar një çmim të rangut të tillë.

“Ky çmim ka rëndësi shumë të madhe për imazhin tonë si kompani, i cili do të stimulojë eksportin e produktit tonë në tregje të jashtme, e sidomos në shtet e Europës, gjë e cila do të ndikojë drejtpërdrejt në krijimin e vendeve të reja të punës për të rinjtë. Ne gjithmonë jemi në kërkim të talentëve të cilët janë të pasionuar në fushën e teknologjisë dhe ju ofrojmë hapësirën e nevojshme për projekte të ndryshme që për qëllim kanë transformimin e ekonomisë digjitale dhe promovimin e Kosovës si shtet inovativ”.

Formon, me bazë në Prishtinë, është biznes startup i themeluar më 2014, si pjesë e inkubatorit të Innovation Centre Kosovo (ICK), tashmë ka kapacitet të prodhimit të 17,000 njësive në vit dhe ka të punësuar 13 persona të profileve të ndryshme si: inxhinierë, arkitektë dhe zhvillues të software.

Formon më herët është shpërblyer edhe me: A Design Award (Como, Itali), Albanian ICT Award 2016, Çmimin për Inovacion nga Foundcenter Investment (Beograd, Serbi) si dhe çmimin “FIDES” për inovacion, të ndarë nga zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës.