Site icon Telegrafi

ProCredit Bank, rrit fitimet, zvogëlon numrin e punëtorëve (Foto)

Industria bankare ka fitime të mëdha por përkundër këtyre fitimeve ata nuk po rrisin numrin e të punësuarve – përkundrazi ata në vazhdimësi janë duke e ulur personelin nëpër filialet e tyre. Aplikimi i teknologjisë edhe në industrinë bankare po bën që numri i të punësuarve në vazhdimësi të ulët.

Së fundmi ProCredit Bank ka ndërmarrë një hap duke hapur qendra që ofrojnë shërbime 24/7 në mënyre teknologjike por jo me punëtorë siç ka qenë deri më tani. Kësi lloj shërbimesh ProCredit është duke ofruar edhe në degët e saj në Prishtinë, te “Tre Sheshirat” – afër ndërtesës së Radio Kosovës, në sheshin “Nënë Tereza”, si dhe prapa Teatrit Kombëtar – afër ish-Sllovenia Sportit, ku në këto qendra në Prishtinë si dhe tri të tjera nëpër komuna tjera më herët kanë punuar punëtorë.

Sipas zyrtarëve të ProCredit Bank, për të avancuar përvojën e klientëve me bankën, si dhe për ta rritur efikasitetin operacional, ata kanë përdorur teknologjitë më bashkëkohore, të krahasueshme me ato të vendeve të Evropës Perëndimore, shkruan Telegrafi.

“Në botën e sotme teknologjike, ndryshimi është një faktor konstant, klientët janë duke përdorur një gamë të gjerë të kanaleve për nevojat e tyre bankare. Sot, më shumë se 80 për qind e transaksioneve të përgjithshme bankare në bankën tonë bëhen përmes kanaleve elektronike të bankimit. Një situatë e tillë i jep bankës mundësi që të avancojë edhe më tej shërbimet këshillëdhënës në degët e saja. Në përputhje me këto trende, fokusi i bankës është orientuar drejt investimeve në teknologjinë elektronike bankare, siç është avancimi i e-banking, një platformë gjithëpërfshirëse e bankimit online, lansimi i Zonave 24/7, një koncept ky krejtësisht i ri për tregun bankar të Kosovë, që kanë ardhur si rezultat i kërkesës së vazhdueshme të klientëve tanë që të kenë qasje në shërbimet bankare 24/7”, është thënë nga zyrtarët e bankës.

Paralelisht me avancimin teknologjik, Bordi i Drejtorëve të bankës ProCredit Kosovë në mbledhjen e fundit të mbajtur në Frankfurt në Gjermani, ka konfirmuar vendimin për ristrukturim të rrjetit të degëve të bankës ProCredit në Kosovë dhe si rrjedhojë të ketë ristrukturim të punonjësve.

Kjo ka rezultuar me mbylljen e gjashtë pikave të shërbimit bankar në Kosovë, të shoqëruara me investime të mëtejshme në degët tjera të rrjetit dhe do të ketë ndërprerje të kontratave të punës me 86 punonjës.

Po ashtu ata kanë treguar se në rezultatet financiare për gjashtëmujorin e parë të vitit, kanë ruajtur pozitën e parë në treg.

“Ne ruajtëm pozitën udhëheqëse në sektorin bankar me 26 për qind të aseteve totale dhe një pjesëmarrje tregu prej 24 për qind në kredi bruto dhe 26.4 për qind në depozita. Asetet e përgjithshme në fund të qershorit janë 780 milionë euro. Depozitat e klientëve kanë dëshmuar sërish besueshmërinë e lartë të qytetarëve të Kosovës në bankën tonë – ku totali i depozitave në fund të Qershorit 2015 arriti shumën prej 663 milionë euro”, është thënë në komunikatën e ProCredit-it për media.

Në ofrimin e shërbimeve financiare për klientët e biznesit, banka ProCredit vazhdon të jetë e pozicionuar mirë dhe ka vazhduar të fuqizoj edhe me tej pozitën e saj udhëheqëse “duke ofruar shërbime inovative për klientët e biznesit, siç janë shërbimet depozituese në Zonat 24/7”.

“Si bankë, ne synojmë të jemi zgjedhje e parë për klientët e biznesit ku total portofolio e kredive në bankën ProCredit në Qershor të vitit 2015 arriti shumën prej 458 milionë euro”.

Sipas zyrës për Marrëdhënie me Publikun në ProCredit Bank, që të vazhdohet me investime në zhvillimin profesional të stafit, si dhe zhvillimin e kapaciteteve këshilluese, do të ndërtohet qendra e trajnimeve në Prizren. /Telegrafi/

Exit mobile version