Site icon Telegrafi

ProCredit Bank do të ndërtoj Qendër të trajnimeve në Prevallë

Në ditëlindjen e 15-të të operimit në Kosovë, Banka ProCredit ka vënë gurë themelin e ndërtimit të Qendrës Rajonale të Trajnimeve, e cila do të ndërtohet në Prevallë të Prizrenit.

Qendra e Trajnimeve do të ofroj trajnime të avancuara të cilat janë të dizajnuara për të përditësuar dhe për të thelluar njohuritë e specializuara të punonjësve të bankave ProCredit në rajon në fushat e tyre të veprimtarisë dhe gjithashtu për të rritur aftësitë e tyre analitike dhe ndërpersonale, përfshirë këtu edhe programin e trajnimit për bankierë të rinj program trajnimi ky unik në tregun bankar të Kosovës.

“Banka ProCredit është e vetëdijshme që kualiteti i raporteve me klientët dhe kualiteti i shërbimeve që ne ofrojmë, kërkojnë punonjës të kualifikuar dhe të aftë që t`i kuptojnë dhe tu përgjigjen në mënyrë të përgjegjshme nevojave të klientëve. Për këtë arsye, ne i kushtojmë rëndësi të madhe investimeve në trajnimin dhe zhvillimin e vazhdueshëm të punonjësve tanë. Ne besojmë që investimi në objektin e ri , investim ky rreth 4 milionë euro, do të luajë rol të jashtëzakonshëm drejt arritjes së këtyre qëllimeve”, theksoi Ilir Aliu drejtor gjeneral në ProCredit Bank.

“ProCredit Bank sot bënë një hap para, duke vënë gurë themelin e ndërtimit të qendrës së trajnimit për stafin e bankës ProCredit në Kosovë dhe rajon. Zgjedhja e Kosovës për ndërtimin e kësaj qendre, tregon përkushtimin që kjo bankë ka për Kosovën. Sot ProCredit Bank renditet ndër bankat e para në sektorin bankar sa i përket rezultateve financiare. Kjo pasqyron rendësin që ka kjo bankë në zhvillimin e sektorit bankar dhe zhvillimit ekonomik të vendit”, tha Fehmi Mehmeti zëvendës Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës.

Ndërsa Samual Zbogar, përfaqësues special i BE-së në Kosovë duke uruar bankën ProCredit për përkushtimin e saj në investimin e shërbimeve moderne, me këtë rast deklaroi.

“Jemi të vetëdijshëm për energjinë dhe fondet që banka juaj investon në edukim, jo vetëm të stafit të saj, por në mënyrë indirekte edhe të përdoruesve të shërbimeve bankare. Fillimi i ndërtimit të qendrës së trajnimeve sot në Sharr, është një nga dëshmitë më të prekshme të dedikimit të Bankës ProCredit në edukim. Bashkimi Evropian gjithmonë do të theksojë rëndësinë e edukimit që i mundëson qytetarëve që në mënyrë aktive të merr pjesë në aktivitete të ndryshme të shoqërisë. Andaj është vërtet inkurajuese të shohësh që Banka ProCredit si një ndër investitorët më të rëndësishëm Evropian në Kosovë, e përkrahë edukimin në këtë mënyrë”, tha Samual Zbogar, përfaqësues special i BE-së në Kosovë.

Banka ProCredit në Kosovë, ka investuar afërsisht 800.000 euro në trajnim dhe zhvillim të personelit në vitin 2014, që përkthehet në një mesatare vjetore të investimit prej rreth 1,150 euro për punonjës.

Vlen të theksohet se përveç investimeve në trajnimin e punonjësve, Banka ProCredit vazhdimisht investon në avancimin e teknologjisë bankare siç është Zona 24/7, një koncept ky krejtësisht i ri për tregun bankar të Kosovë, me të vetmin qëllim për të plotësuar kërkesën e klientëve duke iu ofruar qasje në shërbimet bankare në kohën kur atyre ju konvenon – 24 orë në ditë gjatë 7 ditëve të javës.

Andaj në këtë përvjetor të 15të, banka do të investoj rreth 10 milionë euro për zhvillimin afatgjatë të personelit të saj dhe avancimit të mëtutjeshëm të platformave moderne bankare.

Objekti i qendrës së trajnimeve do të jetë 3300m2, do të ketë 32 dhoma, 3 salla të mësimit dhe hapësira të jashtme dhe të brendshme rekreative, dhe do të jetë i ndërtuar me standarde më të larta për mbrojtje të mjedisit, duke qenë se do te bëhen investime në: izolim termik, sistem fotovoltaik për prodhim të energjisë, sistem i solar për ngrohje te ujit, ngrohja e objektit me pelet. /Telegrafi/

Exit mobile version