Pas takimeve me përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe zëvendësministren e Drejtësisë, Nita Shala, takuan përfaqësues të komuniteteve rom, ashkalinj, egjiptian dhe turk, për të diskutuar lidhur me procesin e vettingut në drejtësi.
Në takim, në të cilin ishin të pranishëm kryetarja e NDS, Emilija Rexhepi, kryetari i IRDK, Elbert Krasniqi, kryetari i KDPT, Fikrim Damka, kryetari i LPRK, Erxhan Galushi dhe kryetari i PAI, Etem Arifi, kryeministri Kurti foli për hapat e mëtejmë lidhur me këtë proces dhe rëndësinë e koordinimit të përbashkët, pas opinionit të pranuar nga Komisioni i Venecias.
Në njoftimin për media thuhet se përfaqësues të subjekteve politike të komuniteteve joshumicë shprehën mbështetjen e tyre për procesin e vettingut dhe reformës në drejtësi.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Koncept Dokumentin për zhvillimin e procesit të Vettingut në Sistemin e Drejtësisë, si dhe ka përgatitur draftin e amendamenteve kushtetuese dhe projektligjin për vertingun në sistemin e drejtësisë.
Më datë 17 qershor 2022, Komisioni i Venecias ka miratuar Opinionin për Vettingun. /Telegrafi/