Site icon Telegrafi

Procedohet në Kuvend Projektligji kundër pandemisë COVID-19, i iniciuar nga kryeparlamentarja Osmani

Foto: Arkiv

Sot është mbajtur mbledhja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ku pas shqyrtimit në parim Projektligji për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 është proceduar në Kuvend për lexim të parë.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli në një prononcim për Telegrafin bëri të ditur se ky Projektligj ishte iniciuar në prill nga kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani dhe beson që pavarësisht vonesës që është bërë do të merr votën e deputetëve.

“Edhe pse pak u vonua, Komisioni për shëndetësi e mirëqenie sociale sapo votoi në mënyrë unanime Ligjin Anti-COVID, me ç’rast u procedua për Kuvend për lexim të parë. Faleminderit të gjithë deputetëve pa dallim partie për përkrahjen dhe gatishmërinë e tyre për kontribut të mëtutjeshëm për plotësimin e ligjit sipas nevojave e gjendjes së tanishme me pandeminë në Kosovë”, ka thënë Avdyli.

Lexo po ashtu Deputetët nuk votojnë që Projektligji për parandalimin dhe luftimin e pandemisë të futet në rend dite

Ai tha se në Komisionin për Shëndetësi janë njerëz profesionist prandaj edhe ka kaluar në mënyrë unanime Projektligji për luftimin e pandemisë COVID-19.

“Ne shpresojmë që duke parë situatën tejet dramatike me COVID-19 besoj dhe shpresoj se të gjitha grupet parlamentare do ta përkrahin miratimin e Projektligjit”, u shpreh Avdyli.

Ai tha më tej se është absurde që ky Projektligj nuk ka kaluar deri më tani, ndërsa shprehu besimin që do të miratohet para se Kuvendi të shkojë në pushim.

Lexo po ashtu Qeveria nuk e miraton nismën ligjore të Kuvendit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19

Ndryshe, më 9 korrik, deputetët e Kuvendit të Kosovës, nuk kishin miratuar shmangien e rregullores për të futur në rend dite Projektligjin e Kuvendit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

Me 59 për asnjë kundër dhe asnjë abstenim, ky Projektligj nuk kishte arritur të hynte në rend dite. /Telegrafi/

Exit mobile version