Site icon Telegrafi

Problemet shëndetësore të aktores Lena Dunham – pasi hoqi mitrën, largon edhe njërën vezore

Lena Dunham (Foto: Dia Dipasupil/Getty Images for Lincoln Center/Guliver)

Aktorja e serialit “Girls”, Lena Dunham, në muajin shkurt të këtij viti e kishte bërë publik lajmin se po vuan nga probleme serioze shëndetësore.

Pas ndërhyrjes kirurgjike për heqjen e mitrës, 32-vjeçarja i është nënshtruar një tjetër procedure mjekësore.

Lena Dunham (Foto: Mike Coppola/Getty Images for People.com/Guliver)

Ajo ka treguar se me vite të tëra është përballur me endometriozën (një sëmundje gjinekologjike), si pasojë e të cilës është dashur të operohet para një viti.

Lexo po ashtu Lajmet për Lena Dunham

Edhe pse mjekët ia kanë hequr gjithë mitrën, sëmundja e saj nuk është shëruar. Disa muaj më pas, ajo është shtruar sërish në spital për një tjetër procedurë mjekësore.


Endometrioza është një çrregullim i dhimbshëm, në të cilin indi që normalisht ndodhet brenda mitrës (në endometrium) rritet jashtë saj. Endometrioza më së shpeshti përfshin vezoret, tubat e fallopit dhe indin që ndodhet në pelvik.


“I jam nënshtruar një operacioni dyorësh, në të cilin më është larguar vezorja e majtë, e cila më ka shkaktuar dhimbje nga formimi i tepruar i indit lidhor fibroz. Situata ishte e tillë saqë ecja me vështirësi, ndërsa në muajin e fundit, gjendja mu përkeqësua”.

“Më kanë thënë se është dashur të operohem më herët dhe se histerektomia (ndërhyrja kirurgjike për largimin e mitrës) është dashur që t’i zgjidhë problemet e mia”.

“Disa mjekë besojnë se duhet të shkoj në akupunkturë, teksa të tjerët thonë se zgjidhja është në terapi, sepse problemi është psikologjik, ndërsa unë te psikologu shkoj qe 25 vite dhe këto janë rezultatet”, kishte shkruar aktorja në përshkrimin e fotografisë së publikuar në rrjetet sociale pas operacionit.

Sëmundja e Dunham daton që nga rinia e saj. Për shkak të dhimbjeve menstruale, aktorja është operuar 11 herë. Kur asgjë tjetër nuk dha rezultate, ajo e largoi tërë mitrën. /Telegrafi/

 

Exit mobile version