Greva e punëtorëve të kompanisë gjermane Lufthansa, ka ndikuar edhe te udhëtarët në Kosovë. Aeroporti i Prishtinës ka treguar se për shkak të kësaj ka pasur vonesa apo edhe humbje të valixheve.
Në kohën kur mërgimtarët më së shumti ia mësyjnë Kosovës, u ka dalë një problem.
Punëtorët e kompanisë ajrore gjermane, Lufthansa nga kjo e mërkurë kanë filluar një grevë duke kërkuar paga më të larta.
E gjithë kjo situatë po ndikon tek pasagjerët që po vijnë në Kosovë.
Nga Aeroporti i Prishtinës kanë dhënë detaje për gjithë situatën.
“Si pasojë e kësaj greve ka pasur anulime të shumta dhe kanë paralajmëruar disa vonesa e po ashtu vonesa të bagazheve. Edhe Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ka destinacione për në Gjermani ka aeroportet ku Lufthansa Group i ka përmendur gjithsej 4 fluturime”, ka thënë Valentina Gara nga Aeroporti “Adem Jashari”.
Problemi më i madh ka qenë vonesa por edhe humbja e valixheve.
“Po kohëve të fundit kemi pasur vonesa apo humbje të bagazheve pikërisht për çështje të grevave. Nga shumë aeroporte të ndryshme të Evropës nuk kanë arritur bagazhet fare apo kanë arritur me vonesë”, ka shtuar Gara.
Por, më shumë fat patën pasagjerët që erdhën në Prishtinë këtë të mërkurë.
Ani pse kishte pritur 20 minuta, problem me valixhen e as udhëtimin nuk kishte pasur udhëtari që erdhi nga Dortmundi i Gjermanisë.
“Nuk kena bo shumë, shumë mirë kena kalu për afër 2 orë e diçka, veç puna e bagazhit u vonu pak por në rregull është”, ka thënë qytetari Burim Halilaj.
Probleme nuk pati as një tjetër bashkatdhetare nga Stuttgarti.
“Jo, fatmirësisht kësaj here. Shumë shpesh ka ndodhë që ka pas probleme me pritë gjysmë ore ose më tepër, por kësaj here as 5 minuta”, Rilindja Geja, qytetare.
Greva e punëtorëve të kompanisë, Lufthansa, është paralajmëruar të përfundojë të enjten në ora 6 derisa janë anuluar rreth 1 mijë fluturime nga Gjermani për vende të ndryshme të botës./RTV Dukagjini/