Real Madrid ishte aktiv në fillimin e afatit kalimtar, duke sjell disa lojtarë, por ende nuk dihet se a do të sjellin të tjerë.
Një gjë të tillë as që dëshiron ta mendojë trajneri i skuadrës, Carlo Ancelotti. Ai këmbëngul për një sulmues cilësor, por mediat spanjolle thonë se klubi nuk e konsideron të nevojshme dhe deri më tani nuk tregojnë synim për të përmbushur dëshirën e tij.
Fran Garcia, Brahim Diaz, Jude Bellingham dhe Joselu Mato janë lojtarët që Reali ka nënshkruar ditët e fundit, por asnjëri prej tyre nuk garanton performancën e Karim Benzemas.
Sulmuesi francez vendosi të marrë qindra milionë euro në Arabinë Saudite dhe kjo mund të përbëjë problem për Realin, për të cilin sezonin e kaluar shënoi 31 gola në 43 ndeshje.
Harry Kane është dëshira e parealizuar e Carlo Ancelottit, ashtu si Kylian Mbappe. Italiani shprehu idetë e tij për sulmuesit në klub, por nuk mori përgjigjen që priste.
Burime pranë tij pohojnë se ai është i zhgënjyer me reagimin e klubit dhe është i vetëdijshëm se çdo rezultat i keq do të reflektojë tek ai.
Lautaro Martinez dhe Victor Osimhen janë sulmues të cilët gjithashtu janë lidhur me një lëvizje të mundshme te Real Madridi. /Telegrafi/