Site icon Telegrafi

“Probleme me komunikimin”, Escobar sot takohet me Kurtin

Foto: Arkiv

Emisari amerikan Gabriel Escobar po vazhdon vizitën e tij në Kosovë. Pas takimeve që kishte dje me presidenten Vjosa Osmani dhe liderët e partive opozitare, Escobar sot do të takohet me kryeministrin Albin Kurti.

Kështu është bërë e ditur nga Qeveria e Kosovës.

Escobar pas takimit të djeshëm me presidenten Osmani, e quajti atë garantuesen kryesore të marrëdhënieve Kosovë-SHBA.

Lexo po ashtu Emisari amerikan: Kemi probleme komunikimi me Kurtin

“Faleminderit zonja Presidente për mikpritjen e ngrohtë në Kosovë. Ju jeni garantuesja kryesore dhe trashëgimia e marrëdhënieve bilaterale mes SHBA-së dhe Kosovës dhe faleminderit për këtë. Dua të them se kjo trashëgimi është e bazuar në një përkushtim të qëndrueshëm për sigurinë, integritetin territorial dhe pavarësinë e Kosovës. Pra, ne do të vazhdojmë t’i thellojmë marrëdhëniet tona në të gjitha linjat e interesave”, tha Escobar.

Kujtojmë se dy ditë më parë gjatë qëndrimit në Bruksel, Escobar u shpreh se kanë probleme komunikimi me kryeministrin Kurti.

“Partneriteti në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është mes popullit amerikan dhe atij të Kosovës, nuk depërton përmes një njeriu në Kosovë, apo një partie. Mirëpo, më duhet të them që aktualisht kemi probleme në komunikim me kryeministrin e Kosovës, dhe jo vetëm SHBA-ja, është problem që e ka Kosova edhe me BE-në, NATO-n, Mbretërinë e Bashkuar dhe më shumë partnerë, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, deklaroi Escobar në Bruksel në një konferencë për gazetarët, të mbajtur online. /Telegrafi/

Exit mobile version