Shqipëria e vitit 1991, sapo kishte dalë nga disa dekada izolim total nën regjimin komunist.
Disa fenomene që njiheshin pak ose aspak, nisën të shfaqeshin hapur. Ata që njiheshin si djem problematik në komunizëm, u shndërruan në të fortë të lagjeve në demokraci. E më tej, këta të fortë u shndërruan në kryesues të grupeve kriminale që po kalonin nga veprat ordinere, te trafiqet e më gjerë.
‘Njerëz që e presin demokracinë dhe mundohen ti përshtaten rregullave të reja që krijon shoqëria siç është ekonomia e lirë e tregut, barazia para ligjit por edhe liritë që shoqërojnë individin që nëse nuk e kupton mirë demokracinë futet në rrugë që dikush vritet dikush sharrohet’ u shpreh ish-prokurori, Shkëlqim Hajdari.
Djemtë e rinj me karakter problematik, nisën të organizoheshin në grupe të identifikuar sipas lagjeve. Kështu, kishim djemtë e rrugës Bardhyl, Djemtë e stacionit të Trenit, ata të Rrugës së Kavajës etj. Ata, kishin ambicie të madhe për lavdi dhe autoritet në zonat e tyre.
Ishte mjaft herët për të folur për nivelet e krimit që njohim në ditët e sotme. Krimet e para të tyre, ishin kryesisht ngjarje banale. Ata, e konsideronin veten si mbrojtës të komuniteteve në lagjet e tyre.
‘Nuk kanë qenë vetëm 2 banda të ashtuquajturat kjo e restorant Durrësit dhe e rrugës Bardhyl. Ka patur edhe shumë banda të tjera në Tiranë që pak është thënë. Ka pasur grupe shumë të fuqishme Rruga e Elbasanit, zona e Ali Demit, Rruga Bardhyl, ish restorant Durrsi, Tirana e Re, Selita, Kombinati dhe kemi Babrrunë të gjitha këto kishin grupet e tyre. Grupe të cilat ishin në një territor të caktuar me background-in e tyre kriminal.
Vetëm në grupet e Rrugës së Elbasanit nga viti 1991-1996 ne kemi 24 persona, djem të rinj të vrarë. Vriteshin për një motor, për një biçikletë, për një lojë për një borxh për ngacmim të një vajze’- u shpreh profesori i kriminologjisë, Ervin Karamuço.