Telegrafi

Pro apo kundër, deputetët që u deklaruan në lidhje me Projekt-Kodin Civil që lejon martesat mes gjinisë së njëjtë

Kuvendi i Kosovës të enjten do të mbajë seancën e radhës. Në rend të ditës është edhe shqyrtimi i parë i Projekt-Kodit Civil të Republikës së Kosovës.

Ky Projektkod përfshin një nen i cili i hap rrugën hartimit të një ligji të veçantë për lejimin e “bashkësive civile” ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë.

Martesat e gjinisë së njëjtë në Kosovë i lejon Kushtetuta, por deri më tani ato nuk janë lejuar me Kodin Civil dhe Ligji për familjen, përcjell Telegrafi.

Pos AAK-së, e cila ka deklaruar se do të votojë kundër këtij Projektkodi subjektet e tjera shqiptare kanë qenë të heshtura.

“Grupi parlamentar i AAK-së do te votojë kundër miratimit në parim të Kodit Civil, i cili përmban edhe pjesën sipas të cilës do të lejoheshin martesat brenda së të njëjtës gjini. Si përfaqësues të popullit dhe pas kërkesave të shumta që kemi marrë nga elektorati ynë, miratimi i një baze të tillë ligjore, vlerësohet i parakohshëm”, thotë ai.

Kundër këtyre ndryshimeve është shprehur edhe partia minoritare turke KDTP.

“Qëndrimi i Partisë sonë lidhur me këtë nen do të jetë që ky nen të mos njihet ligjërisht me arsyetimin se është një opinion kundër vlerave të shenjta dhe fetare të shoqërisë sonë dhe nuk i përket vlerave, kulturës, traditave dhe zakoneve tona familjare”.

Mirëpo deputetë të partive të ndryshëm kanë shprehur qëndrimet e tyre të hapura pro e kundër këtyre ndryshimeve.

Duda Balje ishte e para që e hapi debatin duke deklaruar se nuk voton këto ndryshime për shkak të bindjeve të saja fetare.

Pavarësisht se nuk është deklaruar pro apo kundër këtyre ndryshimeve, kryetari i AAK-së që është edhe deputet në grupin parlamentar të LDK-së, ka dalë në mbrojtje të deputetes Duda Balje, së cilës iu kërkua dorëheqja pas pozicionimit në aspektin fetarë.

Kundër Projekt kodit të ri u shpreh edhe deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, i cili tha se këto ndryshime janë kundër parimeve të tij politike dhe personale.

Në mënyrë indirekte, pro ndryshimeve ka dalë deputetja e LVV-së Vasfije Krasniqi.

Krasniqi në Tëitter ka publikuar një fotografi ku me ngjyrat e komunitetit LGBTI shënohet “Dashuria është dashuri’’./Telegrafi/