Telegrafi

Prizren, intervistohen e më pas lirohen shtatë të dyshuar – iu sekuestrohen para të falsifikuara e armë

Policia e Kosovës njoftoi këtë të premte se ka intervistuar shtatë persona të dyshuar për falsifikim të parave.

Të njëjtëve bëhet e ditur se me urdhër kontrolli nga Gjykata Themelore në Prizren, u janë kontrolluar gjashtë lokacione të ndryshme në rajonin e Prizrenit.

“Janë kontrolluar shtëpitë dhe objektet përcjellëse të personave të dyshuar nën dyshimin e bazuar se kanë konsumuar veprën penale të falsifikimit të parasë”, thuhet në komunikatën për media.

“Policia ka intervistuar shtatë persona të dyshuar (LK., B.D., Xh.B., B.B., V.B., P.K. dhe F.Q.) dhe gjatë kontrollit të pronave të të dyshuarve është arritur të sekuestrohen në cilësinë e provave materiale këto dëshmi: 9,930.00 euro, 380 franga zvicerane, 272 euro para metalik, 7 telefona celular, një pistoletë, 90 fishkë, dy karikatorë, dy boksa të hekurit, një shufër metalike dhe një elekto-shok”.

Paratë e sekuestruara në shtëpinë e të dyshuarit L.K., 272 euro (para metalike me prerje 2 euro), dyshohet se janë të falsifikuara, ndërsa paratë në vlerë prej 9 mijë e 930 euro janë sekuestruar pasi dyshohet se janë përfituar me vepër penale.

“Pas intervistimit të të dyshuarve, sipas udhëzimeve të prokurorit të çështjes, të dyshuarit janë liruar dhe ndaj tyre rasti do të zhvillohet në procedurë të rregullt”, thuhet tutje. /Telegrafi/