Telegrafi

Pritjet në shi: Nga 150 stacione, vetëm 30 kanë mbuloja (Video)

Komunikacioni në Prishtinë bllokohet sa herë që ka të reshura dhe nëpër tollovi ngecin edhe autobusët, raporton ‘038’ i KTV-së.

Vonesat për shkak të trafikut e zgjasin pritjen e qytetarëve nëpër stacione autobusësh, të cilat në shumicën e rasteve janë pa vend-pritje, jo vetëm për t’u ulur por edhe për t’u strehuar nga shiu.

Qytetarët që presin në shi po iu shkaktojnë probleme edhe nëpër autobusë ngase, sipas shoferëve, ata më pas lagin ulëset.

Janë nga 150 deri në 180 vend-ndalje për autobusë në zonën urbane, derisa vetëm 30 nga to kanë mbuloja. Zyrtarët komunalë thonë se edhe ata janë peng i garancisë për kredi nga qeveria.

Ndryshe, entuziast për transportin publik ishte treguar kryetari, Shpend Ahmeti, në fushatën e vitit 2013. Atëkohë ai pati vendosur edhe orare dhe njoftim të linjave që mungonin atëkohë nëpër stacione e që vazhdojnë të mungojnë edhe sot.