Telegrafi

Pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, Tabaku: Taksa ndaj profesionistëve të lira shtrenjton jetën e gjithë shqiptarëve

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku së bashku me dy kolegë janë drejtuar sot Gjykatës Kushtetuese ku kanë parashtruar argumentet e tjera në lidhje me padinë e depozituar nga grupi parlamentar i PD-së dhe gjithashtu edhe nga grupet e interesit për të kundërshtuar vendosjen e taksës së profesionistëve të lirë që e konsiderojnë antikushtetuese.

Në konferencën për shtyp pas daljes nga Gjykata Kushtetuese, Tabaku u shpreh se në dyert e gjykatës janë dorëzuar dokumente të tjera që provojnë se “kemi biznese të mbyllura që janë goditur nga vendosja e kësaj takse të padrejtë dhe njëkohësisht që dëshmojnë cenueshmërinë e sigurisë juridike.

“Sot ndodhemi në kushtet e shkeljes së Kushtetutës dhe sot ndodhemi në kushtet e një tatimi që shkon 30-40% për profesionet e lira, tatimi më i lartë në Republikën e Shqipërisë” u shpreh deputetja Tabaku ndërkohë që theksoi se të gjitha veprimet tanimë kryhen në koordinim të plotë me aktorët e interesit që kanë depozituar paditë e tyre.

“Dua ti jap një mesazh të gjthë profesionistëve të lirë që na kanë shkruar dhe na kanë kontaktuar, dua t’i them që grupi parlamentar i PD do jetë këtu për të mbrojtur interesin e tyre, për të mbrojtur interesin e qytetarëve sot nuk janë pakicë por janë shumicë”, u shpreh Tabaku ndërkohë që komentoi gjithashtu edhe deklaratën e FMN në lidhje me taksën e profesionistëve të lirë.

“Unë përgjithësisht nuk kam dëshirë t’i komentoj deklaratat e ndërkombëtarëve por besoj që FMN e ka pasur për faktin që sot ka shumë përjashtime nga sistemi. Sot ke hotelet me 5 yje që janë të përjashtuar. Heqja e përjashtimeve duhet të nisë nga ata që rëndojnë më shumë buxhetin e shtetit. Në këtë rast ne nuk po kërkojmë asnjë politikë selektive, ne po kërkojmë që profesionet e lira të trajtohen si gjithë bizneset e tjera, sipas xhiros dhe unë besoj që për këtë FMN nuk ka asnjë objeksion”, theksoi Tabaku.

Gjykata Kushtetuese pranoi padinë e grupit parlamentar të PD, ndërkohë që ftoi profesionistët e lirë që të bashkoheshin. Tabaku takoi profesionistët e lirë në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, ndërkohë që Gjykata caktoi datën 21 maj dhe më tej qershorin për të bërë një seancë publike në lidhje me kërkesat e grupit parlamentar të PD dhe profesionistëve të lirë. /Telegrafi/