Në një kohë që shumë prej përfaqësueseve europiane kanë nisur të formalizojnë listat e futbollistëve të grumbulluar për kualifikueset, kombëtarja kuqezi pritet ta bëjë këtë javën e ardhshme.
Trajneri Christian Panucci ka lëvizur jo pak në këto javë për të vëzhguar ata që mendohen si kontigjent për ndeshjet kualifikuese të Botërorit 2018.
Polemikat për rastin e Taulant Xhakës pritet të marrin dhe përgjigjen zyrtare të trajnerit italian. Mesfushori ishte autor i një goli shumë të bukur në Kupën e Zvicrës me Bazelin, duke dhënë një sinjal të qartë se është në formë për të qenë në kualifikuese. Por më shumë se përgatitja, problem për futbollistin është karakteri i tij. Nëse do të përzgjidhet nga Panucci për dy ndeshjet e radhës, atëherë ajo që shpresojnë tifozët, tejkalimi i përplasjeve, do të jetë formalizuar.
Strakosha dhe Berisha do të jenë me të gjitha gjasat në listë, por mbetet për t’u parë se kush do të mbrojë portën, talenti i Lacios që po spikat këto ditë, apo gardiani i Atalantës që ka shkëlqyer në miqësore.
Kombëtarja shqiptare e futbollit do të mblidhet në datën 28 gusht nën urdhrat e trajnerit, 4 ditë para sfidës së parë të vlefshme për kualifikueset e Botërorit. Më 2 shtator, kuqezinjtë do të presin Lihtenshtajnin në “Elbasan Arena” dhe 3 ditë më vonë përballen me Maqedoninë në Strumicë.
Këto dy takime do të shërbejnë më shumë për trajnerin e ri që të njihet me skuadrën, por gjithashtu për të mbajtur pozicionin në FIFA. Shqipëria ndodhet në grupin G të kualifikueseve për Botërorin 2018, e treta me 9 pikë, po aq sa Izraeli, ndërkohë që grupi kryesohet nga Italia dhe Spanja. /TCH/Telegrafi/