Ende nuk dihet nëse kryetari Gjorge Ivanov do t’i amnistojë të dënuarit për “27 prillin”, të cilët në kabinetin e tij kanë dërguar kërkesë për falje. Nga kabinet i kryetarit nuk përmendin se cilët janë të dënuarit që kanë kërkuar falje dhe se si do të veprojnë.
Në pritje të lëvizjes së Ivanov, kryeministri Zoran Zaev dje përsëriti se nuk pret që kryetari i shtetit t’i amnistojë personat e dënuar për rastin e “27 prillit” për shkak se nuk ekziston një mundësi e tillë ligjore, por edhe për arsye se veprime të tilla janë të ndaluara gjatë fushatës zgjedhore, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Është e qartë si dita. Neni 11 i Ligjit për falje nuk ekziston, ai është hequr dhe nuk mund të veprohet. Procedurat udhëhiqen përmes ministrisë së Drejtësisë dhe mund të arrijnë deri te kryetari i RMV-së, por nuk mund të udhëhiqen gjatë kohës së zgjedhjeve. Janë procedura të ndaluara, ndikojnë në procesin zgjedhor për arsye se ndikojnë te vetë votuesit. Mund të udhëhiqen pasi të mbarojnë zgjedhjet presidenciale. Ato mbarojnë më 5 maj, ndërsa mbarimin zyrtar e shpall KShZ-ja sipas ankesave dhe raporteve përfundimtare, kurse mandati i kryetarit Ivanov është deri më 12 maj, kështu që nuk pres asnjë amnisti nga ana e tij”, tha kryeministri Zaev.
Kryetari i Gjykatës Penale të Shkupit, Ivan Xholev dje në brifing me gazetarët njoftoi se gjykata deri tani nuk ka marrë asnjë kërkesë për amnisti, as nga ndonjë i akuzuar as nga ndonjë person i dënuar.
Xholev në raport me shkrimet në media për amnisti të mundshme nga kryetari i shtetit, tha se nuk është mirë që gjykata prej fillimi të deklarohet dhe të ndëmarrë qëndrim.
“Kryetari i shtetit ka të drejtë të sjell amnisti dhe kjo është fakt. Nëse jepet amnistia, gjykata atëherë do të deklarohet dhe do të vlerësojë”, tha Xholev.
Për dhunën në Kuvend më 27 prill të vitit 2017, më 15 mars të kaëtij viti u dënuan 16 persona ndërsa dënimin më të madh mori ish ministri i Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov.
Mandati i kryetarit aktual të shtetit Gjorge Ivanov skadon më 12 maj të këtij viti ndërsa pasardhësi i tij duhet të fitojë zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 21 prill dhe me 5 maj./Telegrafi/