Site icon Telegrafi

‘Pritet ashpërsimi i retorikës së kryetarëve partiakë’! (Video)

Pesë ditë para përfundimit të fushatës, analistët politikë presin ashpërsim të retorikës së liderëve politikë. Njohësit e çështjeve prognozojnë se fjalë gjithnjë e më të rënda do të dalin nga goja e atyre që e kërkojnë votën e qytetarëve. Sipas Sasho Ordanovskit, deri tani, politikanët kanë mbajtur nivel korrekt të komunikimit, por deri të premten pritet ashpërim i vokabularit të tyre, njofton TV 21.

“Në këto zgjedhje shikojmë një retorikë korrekte të liderëve të partive politike. Kuptohet, të gjithë këta synojnë ta përçojnë mesazhin për të cilin këmbëngulin. Mendoj se është e mundshme që pushteti ta ashpërsojë retorikën, sepse kjo do t’u përgjigjej, nëse jo për gjë, të paktën ata që janë të papërcaktuar të qëndrojnë në shtëpi. Por mendoj se gjërat në Maqedoni janë të atilla, saqë publiku është relativisht i elektrizuar dhe mendoj se do të kemi një votim referendumi, me dalje të lartë”, tha ai.

Sociologu Ilija Acevski konsideron se politikanët nuk kanë nivel elementar të kulturës politike kur drejtohen nga foltorja.

“Një fushatë shpifjesh dhe frikësuese ka për qëllim të ndikojë tek qytetarët e papërcaktuar. Ata që janë qartë të profilizuar politikisht, fare nuk e dëgjojnë fjalimin, por e injorojnë. Megjithatë, për një pjesë të madhe prej rreth 30% që nuk janë të përcaktuar, kjo retorikë ndikon shumë”, u shpreh Acevski.

Fushata zgjedhore përfundon të premten më 9 dhjetor, ndërsa të shtunën është heshtje zgjedhore. Deri tani, fushata zgjedhore nuk u shënua nga incidente serioze, përveç sulmit të veturës së liderit të BDI-së në Kumanovë dhe demolomit të shtabit të LSDM-së në Haraçinë. /Telegrafi/

Exit mobile version