Telegrafi

Priten masa të reja kufizuese, varësisht numrit të të infektuarve komunat do të ndahen në tri grupe

Foto: Arkiv

Nga sot pritet të vendosen masa të reja kufizuese për shkak të rritjes së rasteve me coronavirus.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri në një deklaratë të dhënë për Telegrafin, ka thënë se në takim me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, është propozuar që komunat të ndahen në tri grupe varësisht numrit të personave të infektuar.

“Po kanë me u vendos masa të reja nga sot, i kemi ndarë në tri grupe, është e gjelbra, e verdha dhe e kuqja varësisht numrit të të infektuarve”, tha ai.

Agim Bahtiri, kryetar i Komunës së Mitrovicës

Ndërkohë, Telegrafi mëson se në grupin e gjelbër do të hyjnë komunat që brenda jave kanë deri në 75 raste, në grupin e verdhë do të hyjnë komunat që kanë nga 76 deri 149 kurse në grupin e kuq do të hyjnë komunat që brenda jave kanë më shumë se 150 raste.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj pas takimit virtual me kryetarët e komunave, theksoi se do të vazhdojnë me vendime operacionale, për komuna të caktuara në bazë të kategorizimit si pasojë e numrit të të infektuarve.

“Lakorja e rasteve të fundit na detyrojnë për kujdes të shtuar dhe aktiv. Kërkohet bashkëpunim i ngushtë me komunat e Kosovës me theks me kryetarët dhe Shtabet Komunale Emergjente dhe po ashtu bashkëpunim i të gjithë mekanizmave të institucioneve qendrore dhe lokale për zbatim rigoroz të masave të dala nga niveli qendror, është i domosdoshëm”, ka pohuar ai.

Ndryshe, në 24-orët e fundit në Kosovë janë konfirmuar 730 raste të reja me COVID-19, kurse numri i viktimave ka arritur në 755./Telegrafi/