Policia e Kosovës të enjten rreth orës 14:00 në lagjen “Emshir”, saktësisht në rrugën “12 Qershori” në Prishtinë ka arrestuar një person të dyshuar për “Mbajtje në pronësi- posedim të paautorizuar të armës”.
I gjithë aksioni është zhvilluar nga njësitet policore të stacionit Jugu në Prishtinë, respektivisht nga Njësiti me rroba civile, të cilët kanë vërejtur personin e dyshuar duke fshehur armët prapa një shkurreje.
Ka qenë i shpejtë reagimi i policisë, ai që ka mundësuar arrestimin e personit të dyshuar: F.H. mashkull, 54 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, si dhe konfiskimin e dy armëve: një armë e shkurtër e tipit Zastava Magnum 357, një armë e shkurtër e tipit “Bereta” 7.65, dhe 11 fishekë.
Personi i dyshuar pas arrestimit me urdhër të Prokurorit të shtetit është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë, ndërkohë që me rastin po merret Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë. /Telegrafi/