Policia e Kosovës ka njoftuar se janë liruar në procedurë të rregullt tre persona të cilët ishin të përfshirë në rastin e cigareshitësit në Prishtinë.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti tha për Telegrafin se rasti është cilësuar si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
“Sot pas publikimit të videos, ku dyshohej për një keqtrajtim të një personi,njësitet përkatëse policore menjëherë kanë ndërmarrë një varg veprimesh operative të cilat kanë rezultuar me shoqërimin e tre personave të përfshirë në këtë rast.
Pas intervistimit personat janë liruar në procedurë të rregullt, ndërkohë që për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti i cili është cilësuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm janë duke punuar hetuesit policor në koordinim me prokurorin e shtetit”, u shpreh ajo.
Ndryshe, në rrjetet sociale sot ka qarkulluar një video, ku shihen disa persona duke ia bërë duart me alkool një cigareshitësit e më pas ia vënë flakën duarve të tij. Ngjarja ka ndodhur në një nga lokalet në Prishtinë. /Telegrafi/