Telegrafi

Prishtina vazhdon pa humbje në kampionat, mposht thellë Bashkimin

Klubi basketbollistik Prishtina ka fituar ndaj prizrenasve të Bashkimit me rezultat të thellë 111-63.

Bardhekaltrit kanë fituar me lehtësi përballjen e tyre me Bashkimin, e vlefshme për javën e katërt të Superligës së Kosovës në basketboll.

Prishtina edhe në këtë ndeshje ishte dominuese ndaj kundërshtarit duke përfunduar shpejt epilogun e fituesit.

Çereku i parë i ndeshjes i takoi vendasve, të cilët e fituan me epërsi prej 14 pikëve pranë rezultat 27-13.

Edhe çereku i dytë foli në të mirë të Prishtinës, të cilët vetëm se thelluan epërsinë, pasi fituan me rezultat 31-24 dhe shkuan në pushim me rezultatin 58-37.

Në pjesën e dytë, pritej një lojë më e mirë e prizrenasve, por përsëri ishte Prishtina dominuese duke triumfuar 26-7.

Çereku i katërt u luajt vetëm sa për tu përfunduar dhe në fund edhe Prishtina triumfoi në këtë me rezultat 27-19 ose me rezultat përfundimtar 111-63.

Lojtarët më të dalluar te Prishtina ishin Dardan Berisha me 21 pikë, 5 kërcime e pesë asistime dhe Kyan Anderson me 21 pikë e 8 asistime, ndërsa te Bashkimi më i miri ishte Jordan Kapps me 19 pikë dhe 8 kërcime. /Telegrafi/