Telegrafi

Prishtina triumfon përballë Gjilanit, ngritet në pozitën e dytë (Foto)

Prishtina ka fituar derbin e javës së 17-të pasi ka mposhtur Gjilanin me rezultat 2-1.

Ndeshja nisi me një aksion të mirë të vendasve të cilët provuan shënimin e golit me Gauthier Makendën por që goditja e tij nuk ishte e saktë.

Gjilanasit u kundërpërgjigjen me golashënuesin e tyre Betim Haxhimusa i cili tentoi nga distanca por që nuk ishte e saktë.

Sulmuesi prizrenas i Prishtinës, Liridon Fetahaj u lëndua dhe u detyrua ta lë fushën duke u zëvendësuar nga Mërgim Pefqeli.

Prishtina kishte rast të mirë shënimi në minutën e 23-të me Ahmed Januzin që tentoi nga distanca por që topi shkoi skaj shtyllës.

Tre minuta më vonë erdhi goli i parë për vendasit pas një dalje të gabuar nga portieri mysafir Donat Kaçiu.

Mesfushori malazez Bozovic asistoi tek Gathuier Makenda i cili shënoi lehtësisht për 1-0.

Por në minutën e fundit të pjesës së parë, Gjilani iu kundërpërgjigj vendasve duke barazuar rezultatin.

Një kombinim i bukur ishte mes Kqikut dhe Thaqit kur ky i fundit asistoi për Gëzim Rusin që shënoi për 1-1.

Me rezultatin e barabartë 1-1 përfunduan edhe 45 minutat e para të kësaj sfide.

Rastin e parë në pjesën e dytë për vendasit e kishte Ergyn Ahmeti por që goditja e tij nuk ishte e saktë.

E goli i dytë për vendasit erdhi pasi kishte kaluar pak më shumë se një orë lojë.

Debatik Curri asistoi bukur me kokë tek Ahmed Januzi i cili me një goditje të fuqishme mposhti portierin mysafir për 2-1.

Pas kësaj fitore, Prishtina ngritët në pozitën e dytë në tabelë me 31 pikë të tubuara, dy më pak se lideri Llapi.

Ndërkohë Gjilani mbetet në pozitën e shtatë në tabelë me 25 pikë të grumbulluara pas 17 javëve.

Ndeshjen e radhës Prishtina përsëri do ta luaj në stadiumin ‘Rexhep Rexhepi’ në Drenas ku do të jetë mysafire e Feronikelit.

Ndërkohë Gjilani do të ketë një ndeshje tejet të vështirë pasi do ta luaj derbin lokal me Dritën. /Telegrafi/