Talenti gjakovar, Art Maloku është prezantuar si lojtari më i ri i klubit më të trofeshëm në Kosovë, Prishtinës.
Prishtina ka vazhduar vazhdën e transferimeve të reja në këtë afat kalimtar të verës, ndërsa i fundit që është transferuar nga kryeqytetasit është talenti i Vëllaznimit, Art Maloku.
Klubi më i trofeshëm nga Kosova, Prishtina e ka prezantuar sot (e hënë) dhe i ka uruar mirëseardhje 18-vjeçarit.
“Prishtina ka arritur akordin me talentin gjakovar 18 vjeç, Art Maloku, i lindur më 21.12.2000, të vishet bardhekaltër”.
“Qendërmbrojtësi ka zhvilluar të gjitha ndeshjet e stinorit pranveror me Vëllaznimin. Ndërsa, ka qenë pjesë e grupmoshave të reja të Përfaqësueses së Kosovës”.
“Maloku, përveç pozitës së qendërmbrojtësit luan edhe si mbrojtës krahut”, thuhet në njoftimin e klubit.
I lumtur, por njëherit i befasuar është ndarë edhe mbrojtësi Maloku.
“Normalisht, kam qenë si i befasuar dhe i mrekulluar me interesimin e Prishtinës. Pa dyshim që pranova ofertën që të jem pjesë e klubit më të madh në vend. Shpresoj dhe besoj shumë të imponohem dhe të tregoj aftësitë e mia”.
“Pa dyshim, falënderoj shumë familjen e posaçërisht babën që më ka qëndruar afër në mbështetje. Shpresoj shumë se do të realizoj ëndrrën”, ka thënë Maloku me rastin e nënshkrimit të kontratës. /Telegrafi/