Site icon Telegrafi

Prishtina pa probleme në Gjilan, fiton dhe mbanë hapin

Prishtina ka shënuar fitore komode ndaj Gjilanit në udhëtim me rezultat 3-0.

Klubi nga kryeqyteti hyri me synimin e qartë për të përfituar në rast të ndonjë gabimi të rivalëve dhe të mbajë hapin në luftën për titull.

Ndeshja filloi me dominim të madh të Prishtinës.

Pas 13 minutash lojë, ishte Ergyn Ahmeti ai që me një lëvizje mjeshtërore lansoi një goditje shumë të papërshtatshme për portierin Kaçiu i cili nuk arriti të reagojë për të bërë që Prishtina të ketë epërsinë pas kësaj periudhe loje.

Në vazhdim Prishtina dominoi me Mario Morinën që synoi portën.

Ishte pikërisht Morina ai që asistoi në minutën e 33-të për Meriton Korenicën, i cili me qetësi realizoi për 2-0. Ishte ky goli i parë për Korenicën në Superligën e Kosovës për klubin nga kryeqyteti.

Në vazhdim Basid Khalid pati një rast të sigurtë kur gaboi Trevin Caesar, por nuk arriti që të shënonte (44’)

Në pjesën e dytë Prishtina kontrolloi lojën me shumë siguri. Korenica pati rastin të realizojë golin e dytë, por u mohua nga Donat Kaçiu (55’).

Deri në fund Prishtina shënoi edhe një gol me anë të Lorik Boshnjakut që shënoi për 3-0 me asistim të Khalid.

Me këtë fitore, Prishtina arrin 24 pikë dh emban vendin e dytë, kurse ka dy pikë më pak se Feronikeli që triumfoi ndaj Trepçës në udhëtim.

/Telegrafi/

Exit mobile version