Telegrafi

Prishtina në një bashkëpunim të veçantë me Barcelonën

Komuna e Prishtinës ka pritur një delegacion nga Komuna e Barcelonës, respektivisht nga Departamenti për Marrëdhënie dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Instituti Publik i Tregut Komunal të Barcelonës.

Qëllimi i këtij takimi, siç bën me dije Komuna e Prishtinës, ishte shkëmbimi i përvojave dhe diskutimi i mundësive për bashkëpunim ndërmjet Kosovës dhe Komunës së Barcelonës, për zhvillimin dhe menaxhimin e tregjeve komunale, duke ndërlidhur këtë mundësi me rigjenerimin urban dhe shfrytëzimin e hapësirave publike.

Në kuadër të këtij takimi, nënkryetari i Prishtinës, Dardan Sejdiu, i njoftoi mysafirët nga Barcelona me iniciativën e Komunës për themelimin e Tregut Mobil të Fermerëve, i cili është një risi për Kosovën, për fermerët dhe për konsumatorët. Sipas tij, ky treg i ka dhënë një kuptim më të gjerë dhe më të plotë shfrytëzimit të hapësirës publike.

Po ashtu, Sejdiu theksoi se ky projekt ka një rëndësi të veçantë për të nxitur fermerët që të rrisin fermat e tyre dhe të zëvendësojnë produktet e importit – duke krijuar brende të reja vendore në Kosove. Ai theksoi se Komuna e Prishtinës është duke punuar që të bëjë edhe lidhjen e tregut të gjelbër ekzistues me pjesën e vjetër të qytetit të Prishtinës, duke ofruar kështu një lidhje dhe atraksion turistik ndërmjet këtyre dy pjesëve.

Nga ana tjetër, mysafirët treguan se Instituti Publik i Tregut Komunal të Barcelonës menaxhon 43 tregje, kryesisht të mbyllura dhe më pak të hapura, të cilat organizohen dhe funksionojnë nëpërmjet shoqatave apo asociacioneve.

Kreu i delegacionit, Jordi Cortez i Roldan, tregoi se Tregu Komunal i Barcelonës zë vendin e tretë për nga institucionet të cilat qytetarët i vlerësojnë më së shumti. Ai po ashtu ka theksuar se kërkesa për tregje ku fermerët prodhues shesin drejtpërsëdrejti prodhimet e tyre të freskëta, është rritur edhe në vendet e Evropës, mirëpo kjo është e vështirë në Barcelonë pasi ata jetojnë së paku 100 kilometra larg qytetit. /Telegrafi/