Prishtina e ka zhvilluar ndeshjen e parë sezonale në stadiumin e rinovuar “Fadil Vokrri” në kryeqytet.
Bardhekaltrit janë ndeshur me Drenicën në kuadër të javës së tretë të Ipko Superligës së Kosovës në futboll, takim ky që përfundoi me fitoren e vendasve me rezultat 1-0.
Pjesa e parë nuk prodhoi gola, ndërsa nikoqirët patën rastet e tyre përmes Meriton Korenicës dhe Alen Jasharovskit.
Rezultati u zhbllokua në minutën e 62-të me golin e Gauthier Mankendas, i cili u asistua nga Basit Khalid.
Kryeqytetasit vazhduan të ishin të rrezikshëm, ndërsa një tjetër rast shënimi e pati Korenica.
Skuadra mysafire nuk arriti që të ndërtonte ndonjë rast për ta ndëshkuar kundërshtarin, ashtu që pësoi humbje në këtë sfidë.
Kjo është fitorja e parë e Prishtinës në stadiumin e vet në sezonin 2018/2019 dhe e dyta në përgjithësi nga po aq ndeshje të zhvilluara.
Për Drenicën, kjo është humbja e parë pas një fitoreje dhe një barazimi. /Telegrafi/