Telegrafi

Prishtina luan për të barazuar rezultatin, Peja për hapin e madh

Kapiteni i Sigal Prishtinës, Edmond Azemi, pret që seria finale e plejofit të Superligës së Kosovës në basketboll kundër Pejës, të barazohet në rezultatin 1:1.

Aktualisht rezultati i kësaj serie është 1:0 në favor të Pejës, që fundjavën e shkuar triumfoi në sekondën e fundit, falë pikëve të Alban Veselit (77:76) në palestrën “Karagaçi”.

Ndeshja e dytë e kësaj serie do të zhvillohet të enjten (sot) në Prishtinë, nga ora 19:30.

Azemi, të mërkurën, ka insistuar se Sigal Prishtina ka ekip më të mirë se Peja dhe për këtë arsye pret fitore në ndeshjen e dytë. Ai shton se Sigal Prishtinës në këtë ndeshje do t’i ndihmojë edhe përkrahja e “Plisave” për shkak se luan në shtëpi.

Kjo do të jetë përballja e dhjetë këtë edicion mes Sigal Prishtinës dhe Pejës, duke përfshirë edhe ndeshjen e Superkupës. Aktualisht, rezultati i përgjithshëm i këtyre përballjeve edhe 5:4 në favor të Pejës.

“Ne dalim për fitore dhe besoj në fitore për shkak se luajmë si vendas dhe kemi përkrahjen maksimale të publikut. Në ndeshjen e parë finale ishim shumë pranë fitores, por e humbëm në fund dhe Peja ishte me fat. Këtë herë nuk do të lejojmë një gjë të tillë, pasi jemi mobilizuar për fitore”, është shprehur Azemi.

“Do të jetë një lojë shumë e fortë për shkak se Peja vjen për fitore, por ne kemi ekip më të mirë dhe do të barazojmë rezultatin e përgjithshëm”.
Për dallim nga Sigal Prishtina që pritet të ketë mungesa për këtë ndeshje, Peja do të jetë e kompletuar. Te Sigal Prishtina nuk janë të sigurt në paraqitjen e amerikanit Mohamed Abukar për shkak të lëndimit. Abukar mbetet në dyshim deri para fillimit të ndeshjes.