Telegrafi

Prishtina luan për serinë pozitive, Peja kërkon këndellje

Kryendeshja e xhiros së 25-tënë elitën e basketbollit kosovar, do të luhet të dielën në “Karagaçi”, ku Peja e pret Sigal Prishtinën me fillim nga ora 19:30.

Prishtina i ka realizuar katër fitore radhazi ndaj Pejës në pjesën e dytë të edicionit, duke llogaritur këtu të gjitha garat, Superligën, Kupën e Kosovës dhe Ligën Ballkanike. Peja tri herë i ka mposhtur bardhekaltrit, por kjo ka ndodhur në vitin 2015, më saktësisht në stinorin vjeshtor.

Kryeqytetasit i kanë regjistruar 24 fitore në vitin 2016, në të gjitha garat dhe të gjitha këto nën udhëheqjen e trajnerit të ri, qipriotit, Antonis Constantinides. Ky i fundit nuk dëshiron të ndalet me kaq, por kërkon më shumë.

Pavarësisht faktit se kjo ndeshje nuk ndryshon asgjë në renditjen tabelare edhe në rast fitoreje edhe në rast humbjeve për të dyja skuadrat, Constantinides ka thënë se dëshiron të vazhdojë me ecurinë pozitive, sepse një gjë e tillë sipas tij është shumë e rëndësishme për ngritje të moralit dhe të motivimit të ekipit të tij.