Site icon Telegrafi

Prishtina lëshon nga duart fitoren, Gjilani merr një pikë në minutat shtesë

Prishtina dhe Gjilani kanë barazuar me rezultat 2-2 në ndeshjen e vlefshme për javën e 16-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Kryeqytetasit kanë lëshuar nga duart fitoren, pasi pranuan gol në minutat shtesë për t’u kënaqur në fund me një pikë.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë të vendasve, por të dyja skuadrat shënuan nga një gol.

Megjithatë, të parët në epërsi kaluan mysafirët me anë të Senad Jarovic (28’), i cili shënoi për 0-1, ndërsa Leutrim Kryeziu (36’) shënoi nga penalltia për 1-1.

Në pjesën e dytë, Prishtina ishte dukshëm skuadër më e mirë duke krijuar më shumë dhe duke shënuar golin e epërsisë 2-1 me anë të Leonat Vitijës (81’), gol që u mënua se ishte i fitores.

Por, kur pritej që ndeshja të përfundonte në skenë doli Kushtrim Shabani (90+), i cili pas një veprimi të mirë brenda zonës barazoi shifrat në 2-2 dhe ky doli të ishte rezultati përfundimtar.

Pas këtij barazimi, Prishtina e sheh veten në pozitën e katërt me 26 pikë, ndërsa Gjilani i gjashti me 18 pikë.

Në ndeshjen e radhës, kryeqytetasi luajnë në udhëtim te Feronikeli ’74, teksa gjilanasit e presin Dritën. /Telegrafi/

Exit mobile version