Kanë vazhduar komunikatat mes FC Prishtinës dhe FFK-së për vendin se ku do të zhvillohet ndeshja me Lirinë.
Klubi nga kryeqyteti nuk e ka saktësuar se ku do të luajë ndeshjen me Lirinë, pasi që fillimisht shkruan se do të luhet në “Fadil Vokrri”, por ndërkohë FFK-ja njoftoi se ndeshja luhet në Kampin Nacional në Hajvali.
Prishtina ka paraqitur vërejtjet e saj lidhur me vendimet dhe mënyrën e komunikimit të Komisionit të Garave të FFK-së.
Prishtina ka mohuar të ketë kërkuar që ndeshja me Lirinë të zhvillohet në Hajvali, ndërsa sërish shtoi se klubi prizrenas është njoftuar me vendin se ku do të zhvillohet kjo përballje.
“Ky vendim urdhërues është në kundërshtim me nenin V të rregullores, i titulluar ‘Caktimi i fushës dhe fillimi i ndeshjes’. Në përputhje me këtë nen, FFK është përgjegjës për caktimin e orarit të ndeshjeve dhe jo për përcaktimin e fushës ku skuadra pritëse do të zhvillojë ndeshjet. Ju rikujtojmë se procesi i përcaktimit të fushave për ndeshje fillon dhe mbaron në të njëjtin proces me regjistrimin dhe licencimin e klubeve për të garuar në Superligën e Kosovës”.
“Me qëllim të shmangies së mëtutjeshme të problemeve zinxhirore që një gabim i tillë mund të prodhojë si dhe për të krijuar kushte për mbarëvajtjen e punës në Superligë, i lutemi FFK-së të korrigjoj këtë gabim dhe të siguroj zhvillimin e një ngjarjeje sportive të suksesshme në prani të banorëve të Prishtinës, e që janë tifozët tanë”, ka shkruar Prishtina në faqen zyrtare.
Tashmë kur kanë mbetur edhe dy ditë nga ndeshja, ende nuk dihet se ku do të zhvillohet ajo. /Telegrafi/