Sigal Prishtina ka fituar ndeshjen e tretë gjysmëfinale të Play-offit ndaj Trepçës me shifrat 87:71 (21:19, 29:22, 17:16, 20:14).
Tashmë prishtinasit avancojnë 2:1, ndërsa ndeshja e ardhshme zhvillohet të dielën në Mitrovicë. Skuadra që shënon tri fitore kualifikohet në finale.
Çereku i parë ishte tërësisht i barabartë, ku asnjëra skuadër nuk arrinte të shkëputej në epërsi, duke përfunduar 21:19. Periudha e dytë ishte vendimtare, pasi prishtinasit u shkëputën deri në epërsinë më të lartë, që ishte 15 pikë, 48:33, ndërsa në pushim shkuan me shifrat 50:41.
Sërish në periudhën e tretë vendasit u shkëputën në 15 pikë epërsi 56:41, por mysafirët u afruan disi në rezultat, ku shifrat pas 30 minutash ishin 67:57. Në dhjetë minutat e fundit, kryeqytetasit ruajtën epërsinë, madje e thelluan për të triumfuar 87:71.
Te vendasit u dalluan Both Gach me 23 pikë e pesë kërcime dhe Derrick Wilson me 16 pikë e shtatë kërcime, kurse te mysafirët u dallua Jamel Artis me 23 pikë e tetë kërcime.