Klubi më i trofeshëm në Kosovë, Prishtina do t’i luajë dy ndeshjet e para të sezonit 2023/24 në Albi Mall Superligën e Kosovës, në Kampin Nacional në Hajvali.
Fituesi i Kupës së Kosovës edhe në këtë sezon pritet të ketë probleme me zhvillimin e ndeshjeve si vendas pasi fusha e stadiumit “Fadil Vokrri” vazhdon të ketë probleme të mëdha shkaku i ngarkesës së madhe.
Megjithatë, kryeqytetasit kanë arritur një marrëveshje me FFK-në në lidhje me lokacionin ku do t’i zhvillojnë së paku dy ndeshjet e para si vendas, në sezonin 2023/24, i cili nis këtë fundjavë.
Prishtina ka njoftuar zyrtarisht se ndeshja e javës së parë ndaj Feronikelit dhe ajo e javës së tretë ndaj Malishevës do të luhen në Kampin Nacional në Hajvali.
Njoftimi i Prishtinës
Dy ndeshjet e para të kampionatit, java e parë me Feronikelin dhe java e tretë me Malishevën, skuadra jonë do t’i zhvillojë në Hajvali, në kampin nacional.
FC Prishtina ka pranuar këtë akt për të mirëkuptuar ndeshjet kualifikuese të Kosovës për muajin shtator.
Ndeshja e javës së parë me Feronikelin zhvillohet këtë të shtunë më 12 gusht nga ora 17.
/Telegrafi/