Dueli ndërmjet Prishtinës dhe Gjilanit i vlefshëm për xhiron e 26-të në Superligën e Kosovës në futboll tashmë ka datën e zhvillimit të saj.
Komisioni i Garave ka caktuar 30 marsin për këtë përballje.
Takimi do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” me fillim nga ora 15:00, teksa tashmë të dy klubet kanë marrë njoftimet zyrtare nga ana e FFK-së në lidhje me zhvillimin e takimit.
Kujtojmë që kjo ndeshje ishte planifikuar të zhvillohej këtë vikend më 21 mars, mirëpo për shkak të ruajtjes së terrenit në “Fadil Vokrri” në prag të zhvillimit të ndeshjeve të Kosovës.
Kosova do të përballet fillimisht me Lituaninë në miqësoren e 24 marsit, ndërkohë katër ditë më vonë do përballet me Suedinë në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës “Katar 2022”.
Aktualisht në stadiumin “Fadil Vokrri” po zhvillohen punimet e fundit brenda tapetit jeshil për të qenë sa më i gatshëm për ndeshjet e shumta që do zhvillohen këtë muaj. /Telegrafi/