Site icon Telegrafi

Prishtina gati për Gjilanin, Bekteshi i bindur në fitore

Prishtina, por edhe skuadrat tjera pretendente për titull nga nesër hyjnë në pesë ndeshjet e fundit kampionale.

Prishtina është mysafire e Gjilanit, të cilët i ka mposhtur 2-1 në kryeqytet, ndërsa ka luajtur pa gola në Gjilan.

Kryeqytetasit që mbajnë vendin e dytë në renditje, janë kompletuar pasi në ndeshje e fundit ndaj Drenicës kishin pesë mungesa.

Leotrim Bekteshi e Lorik Boshnjaku nuk lujatën shkaku i katër kartonëve, ndërsa Leonit Abazi, Diar Miftaraj e Ergyn Ahmeti iu janë bashkëngjitur grupit në stërvitjet e përbashkëta.

Mbrojtësi i Prishtinës, Leotrim Bekteshi, ka thënë se Prishtina është e përgatitur për ndeshjen në Gjilan.

“Normalisht na pret ndeshje shumë e vështirë, por ne i kemi qëllimet tona dhe në këtë përballje do të hyjmë sikur në çdo takim tjetër që synim të vetëm kemi pasur fitoren”.

“As takimet paraprake s’kanë qenë të lehta, aspak, pra as kjo ndeshje nuk dallon, hyjmë për tre pikët”.

“Ekipi që do të bëjë sa më pak gabime edhe do ta fitojë ndeshjen, e shpresoj që ne të jemi ata që e gëzojmë formën më të lartë, atmosferën e shkëlqyer dhe jam më se i bindur që do të kthehemi me tre pikë”, ka thënë Bekteshi për faqen e klubit. /Telegrafi/

Exit mobile version