Telegrafi

Prishtina fiton me lehtësi dhe thellë ndaj Lipjanit, vazhdon kryesimin pa humbje

Klubi basketbollistik Prishtina ka shënuar fitore të lehtë ndaj Lipjanit me rezultat të thellë 121:66.

Bardhekaltërit kanë vazhduar serinë pozitive pa humbje në kampionat duke fituar ndaj Lipjanit në ndeshjen e javës së 16-të të zhvilluar në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.

Kryeqytetasit nuk e diskutuan asnjëherë fitoren dhe forcën e tyre e treguan që nga minuta e parë e ndeshjes.

Çereku i parë i ndeshjes përfundoi me plot 20 pikë epërsi për Prishtinën, pasi fituan me rezultat 39:19.

Edhe çereku i dyti foli në të mirë të kryeqytetasve që fituan 26:14 dhe shkuan në pushim me epërsi prej 31 pikësh, pranë rezultatit 65:34.

Në pjesën e dytë vazhdoi përsëri loja më e mirë e Prishtinës, të cilët vetëm se ngritën epërsinë, pasi fituan çerekun e tretë me rezultat 26:18.

Çereku i fundit i lojës gjithashtu u fitua nga Prishtina me rezultat 30:15 dhe pas 40 minutave lojë, bardhekaltërit fituan me rezultat të thellë 121:66 duke vazhduar kryesimin në Superligën e Kosovës.

Basketbollistët më të dalluar ishin Dardan Berisha te Prishtina me 27 pikë e katër kërcime dhe James Johnson te Lipjani me 23 pikë e katër kërcime. /Telegrafi/