Prishtina ka arritur fitore në xhiron e 17-të të Ipko Superligës së Kosovës në futboll, duke fituar me rezultat 2-0 në derbin ndaj Dritës.
Ishte një ndeshje e mirë nga të dy anët, po në fund skuadra nga kryeqyteti e motivuar nga publiku arkëtoi pikët e plota.
Dy rastet e para për gol i kishte Drita, fillimisht me anë të Betim Haxhimusas (4′) dhe pastaj me anë të Zgjim Mustafas (6′).
Prishtina tentoi me Basid Khalid (12′), por goditja e tij u bllokua nga Ergys Kaja. Drita vazhdoi ta kërkojë golin, ishin Haxhimusa (15′). Liridon Leci (30′) dhe Xhevdet Shabani (37′) që tentuan golin, por nuk ia arritën dhe me rezultatin 0-0 përfundojnë 45 minutat e parë.
Prishtina e filloi më mirë pjesën e dytë, skuadra nga kryeqyteti fillimisht rrezikoi me Gauthier Mankendan (55′), pastaj dy minuta më vonë ishte Meriton Korenica që me një goditje të bukur tundi rrjetën e Leutrim Rexhepit.
Khalid kishte rast të mirë për gol, por Rexhepi nuk lejon një tjetër gol për skuadrën nga kryeqyteti në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.
Kraja i Dritës në minutën e 85-të gjuajti me kokë, por topi u lagua nga vija e portës nga Armend Thaqi.
Në minutat shtesë, sa për të bërë këtë fitore edhe më të bukur për vendasit shënoi Khalid.
Pas kësaj fitore Prishtina renditet në vendin e parë në ligë me 40 pikë, e ndjekur nga Feronikeli me 39, ndërsa Dirta vazhdon në pozitën e gjashtë me 23 pikë.
Vlen të theksohet se kjo ishte ndeshja e fundit e sezonit vjeshtor në Ipko Superligën e Kosovës. /Telegrafi/