Telegrafi

Disa statistika para ndeshjes vendimtare Feronikeli – Prishtina

Ndeshja e së dielës në IKPO Superligë mes Feronikelit dhe Prishtinës, është edhe përballja e klubeve më të trofeshme pas luftës.

Prishtina i ka fituar shtatë tituj kampioni, ndërsa Feronikeli i ka fituar dy. Në mes qëndron Besa e Pejës me tre tituj.

Lideri i Superligës, Feronikeli nuk ka fituar asnjë ndeshje ndaj Prishtinës, që prej vitit 2016, as ato në shtëpi.

Në 12 ndeshjet e fundit në kampionat, Prishtina ka shënuar dhjetë fitore derisa dy ndeshje kanë përfunduar baras.

Se statistikat flasin në favor të Prishtinës, tregon se në gjashtë vizitat e fundit në Drenas, Prishtina ka arritur katër fitore.

Feronikeli në këtë edicion është në seri prej shtatë fitoreve rresht dhe e ka edhe epërsinë e dy pikëve.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga Superliga e Kosovës

Drenicasit e kanë sulmin më të mirë në kampionat me 63 gola të shënuara, ndërsa në anën tjetër Prishtina e ka mbrojtjen me vetëm 11 gola të pranuara.

Feronikeli e ka fituar dy herë rresht titullin në edicionet 2014/15 dhe 2015/16.

Edhe Prishtina dy titujt e fundit i fitoi rresht, 2011/2012 dhe 2012/2013.

Kryeqytetasit janë bërë kampion edhe në sezonet 1999/00, 2000/01, 2003/04, 2007/08 dhe 2008/09. /Telegrafi/