Prishtina dhe Gjilani kanë barazuar me rezultat 2-2 në kuadër të javës së 15-të në Superligën e Kosovës.
Të dy skuadrat zhvilluan një ndeshje të mirë duke mos kursyer asgjë nga vetja dhe këtë e dëshmojnë edhe numri i golave të shënuar.
Pjesa e parë edhe pse solli raste, goli erdhi në fundin e saj.
Një aksion nga e djathta bëri që topi të vije te Arlind Shabani që me një goditje brenda zone shënoi për 1-0.
Në fillimin e pjesës së dytë Gjilani ia arriti të barazojë me Albert Dabiqajn që shënoi për 1-1.
Prishtina u lëshua në sulm për të kërkuar golin e epërsisë, ku Albin Prapashtica rrezikoi dy herë, u në njëri rast goditi edhe shtyllën.
Por nuk vonoi shumë dhe Prapashtica shënoi, kur në minutën e 63-të, me një goditje të fuqishme nga brenda zonës shënoi për 2-1.
Gjilani sërish arriti t’i barazojë shifrat me Dabiqajn i cili me një harkim në zonë, arriti të gjejë rrjetën duke e lënë të befasuar Ardit Nikën.
Prishtina kishte raste të shënonte fitore, por nuk ia arriti, pasi Shefit Shefiti dy herë nga pozita të mira nuk e gjeti rrjetën.
Prishtina dhe Gjilani me nga 23 pikë mbajnë pozitat tre dhe katër në renditje. /Telegrafi/