Telegrafi

Prishtina dhe Gjilani arrijnë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, gjilanasit kërkojnë pikët në tavolinë

Klubi futbollistik Prishtina dhe ai Gjilani kanë arritur në stadiumin Fadil Vokrri në kryeqytet për ndeshjen e paraparë të zhvillohet sot (e hënë), por e cila është shtyrë nga FFK shkaku i mos-pranimit teknik të stadiumit.

Java e parë e sezonit të ri 2018/19 në IPKO Superligën e Kosovës në futboll ishte paraparë mbyllej me ndeshjen Prishtina-Gjilani.

Kjo ndeshje pritej të luhej në stadiumin e rinovuar të kryeqytetit, të emëruar ‘Fadil Vokrri’ me fillim nga ora 19:45.

Lexo po ashtu FFK: Ndeshja mes Prishtinës dhe Gjilanit shtyhet, shkak mospranimi teknik i stadiumit

Megjithatë, pritjes disavjeçare të Prishtinës për t’i luajtur ndeshjet në shtëpinë e saj nuk i ka ardhur fundi as ditën e hënë.

Futbollistët e Prishtinës duke hyrë në stadiumin Fadil Vokrri

E gjithë kjo pasi FFK ka vendosur ta shtyjë këtë ndeshje shkaku i mospranimit teknik të stadiumit nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Por, të dyja klubet, sikurse Prishtina, ashtu edhe Gjilani kishin vendosur të shkojnë në stadiumin ku ishte paraparë të zhvillohej ndeshja e parë.

Gjilani kërkon tri pikët pasi ka udhëtuar drejt Prishtinës

Klubi gjilanas kërkon që t’i marrë tri pikët në tavolinë shkaku i udhëtimit të tyre në kryeqytet dhe njoftimit të vonshëm për shtyrjen e ndeshjes.

Në anën tjetër, klubi kryeqytetas gjithashtu ishte gati për të luajtur ndeshjen, por vendimi ishte nga lartë për shtyrjen e takimit. /Telegrafi/