Telegrafi

Prishtina dhe Ballkani me udhëtime të vështira

Edhe pse e gjithë vëmendja është në derbin lokal mes Dritës dhe Gjilanit, dy super sfida tjera na presin sot në BKT Superligën e Kosovës.

Dy skuadrat pretendente për titull të kampionit, Prishtina dhe Ballkani do të luajnë në udhëtim në kuadër të xhiros së gjashtë.

Kampioni në fuqi i Kosovës, Prishtina pas fitores së parë të arritur këtë edicion, do të përballet me Feronikelin në Drenas.

Kryeqytetasit dhe ‘Industrialistët’ kanë krijuar një rivalitet të fortë viteve të fundit, por këtë edicion dallimi në kualitet është shumë i madh.

Feronikeli në këtë takim vije pas humbjes 1-0 nga Malisheva dhe synon të marrë pikë, derisa në anën tjetër Prishtina e motivuar pas fitores ndaj Dukagjinit 1-2, synon që të marrë tri pikë të reja për të vazhduar ngjitjen në tabelë.

Sfidë shumë interesante pritet të zhvillohet edhe në stadiumin e qytetit në Malishevë.

Skuadra e inkuadruar në elitë, Malisheva është nikoqire e Ballkanit.

Vendasit në këtë takim vijnë pas fitores ndaj ‘Niklit’ dhe synojnë të vazhdojnë me rezultate pozitive edhe pas xhiros së gjashtë.

Në anën tjetër Ballkani që është lider i Superligës, ka vetëm një objektiv, të rikthehet në Suharekë me tri pikë nga ky udhëtim. /Telegrafi/