Telegrafi

Prioritetet e Mourinhos te Unitedi

Gjatë kësaj jave pritet të zyrtarizohet angazhimi i Jose Mourinhos në postin e trajnerit të Manchester Unitedit. Por, cilat do të jenë detyrat kryesore të 53-vjeçarit?

Largimi i lojtarëve që nuk kanë treguar formë të mirë. (Ata që mund të largohen janë: Bastian Schweinsteiger, Michael Carrick, Memphis Depay, Phil Jones, Marcos Rojo, Ashley Young, Morgan Schneiderlin e Ander Herrera).

Zgjidhja e të ardhmes së Juan Matas. Spanjolli nuk pëlqehet shumë nga Mourinho për shkak mosangazhimit të tij në fazën e mbrojtjes, por tifozët e duan.

Koha që Ryan Giggs të shkojë diku tjetër. Historia e ish-mesfushorit me Djajtë e Kuq e bën atë figurë të rëndësishme te klubi, mirëpo portugezi vështirë se mund ta përfshijë në stafin e tij.

Të fitojë zemrat e atyre që dyshojnë. Jo të gjithë e duan Mourinhon në postin e trajnerit të United. Prandaj, ai duhet t’ua fitojë zemrat edhe atyre që nuk e pëlqejnë stilin e tij të lojës.

T’u japë hapësirë të rinjve. Unitedi ka një histori të zhvillimit të lojtarëve të vet, derisa ish-trajneri i Real Madridit është i njohur për transferimin e lojtarëve të huaj me përvojë.

Të fitojë me stil. Loja pragmatike e portugezit për të nxjerrë me çdo kusht rezultate, ka ngritur dyshime te kritikët. Prandaj, sukseset e Mourinhos duhet të shoqërohen edhe me lojë të bukur.

Ta lë nën hije Pep Guardiolan. Rivali i qytetit, Manchester City, nga sezoni i ardhshëm do të udhëhiqet nga trajneri spanjoll, prandaj portugezi duhet të tregohet më i suksesshëm se ai.

Ta mbajë David de Gean. Portieri spanjoll është lidhur me një largim nga Old Trafford, ndërsa destinacioni më i mundshëm është Real Madridi. Menaxheri duhet ta bindë atë të qëndrojë.

Ta freskojë skuadrën. Forcimi i mbrojtjes, mesfushës, por edhe sulmit, do të jenë detyrat e menaxherit në tregun e transferimeve.

Të kthejë ditët e lavdisë. Lufta për tituj dhe kualifikimi në Ligën e Kampionëve padyshim se do të jetë objektivi kryesor i trajnerit. /Telegrafi/