Site icon Telegrafi

Prioritetet e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë: politika monetare dhe stabiliteti i çmimeve

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaroi sot se politika monetare dhe stabiliteti i çmimeve janë prioriteti i parë i tij përgjatë mandatit të dytë në krye të Bankës së Shqipërisë.

Sejko është dekretuar nga Presidenti Ilir Meta më 14 shkurt për një mandat të dytë si Guvernatori i Bankës së Shqipërisë.

Në fjalën së tij në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, Sejko tha se gjatë mandatit të shkuar politika monetare e bankës qendrore ka bërë një hop të dukshëm cilësor.

“Në kontekstin afatshkurtër, sfida kryesore do të jetë adresimi i presioneve inflacioniste që vijnë nga rritja e çmimeve në tregjet botërore. Në gjykimin tim, respektimi i mandatit ligjor të stabilitetit të çmimeve është një objektiv i panegociueshëm”, ka shtuar Sejko.

Sipas Sejkos, prioriteti i dytë ka të bëjë më mbikëqyrjen dhe rregullimin bankar, në funksion të forcimit të mëtejshëm të stabilitetit financiar të vendit.

Lexo po ashtu Gent Sejko dekretohet për një mandat të dytë si guvernator i Bankës së Shqipërisë

“Në këtë prizëm, objektivi i punës sime do të jetë: krijimi i të gjitha premisave për nxitjen e kreditimit të shëndetshëm të ekonomisë, adoptimi i plotë i të gjithë praktikave dhe standardeve relevante të Bazel II dhe Bazel III, konvergimi i mëtejshëm më standardet evropiane dhe marrja e certifikimeve të mëtejshme në fushën e mbikëqyrjes nga Banka Qendrore Evropiane, riskanimi i plotë i sistemit tonë financiar – në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) – për të mundësuar identifikimin dhe korrektimin në kohë të dobësive të tij”, ka shtuar Sejko.

Sejko ka thënë gjithashtu se prioriteti i tretë i bankës qendrore do të jetë nxitja e formalizimit dhe rritja e edukimit dhe e përfshirjes financiare.

“Shkalla relativisht e lartë e informalitetit në ekonominë shqiptare sjell pasoja serioze negative, nëpërmjet cënimit të konkurrencës, frenimit të produktivitetit, rritjes së pasigurisë në marrëdhëniet tregtare e financiare, si dhe reduktimit të të ardhurave publike”, ka theksuar Sejko. /Telegrafi/

 

Exit mobile version