Një vajzë njëmbëdhjetëvjeçare nga Maqedonia ka përjetuar një tmerr të vërtetë pasditen e së dielës në Gjermani. Fëmija ka qenë duke udhëtuar me prindërit e saj dhe një grup udhëtarësh me autobus, me ç`rast ishte harruar nga prindërit në një pushimore të autostradës.
Vajza ka qenë duke udhëtuar me një autobus nga Maqedonia në autostradën A8 në drejtim të Shtutgartit. Autobusi i stërmbushur ishte ndalur për një pauzë të shkurtër në pushimoren e autostradës „Fuchsberg“. Pas pushimit të shkurtër, udhëtarët kishin hipur në autobus duke vazhduar udhëtimin më tej. Gjatë kësaj, atyre u kishte rënë në sy se vajza që udhëtonte me prindërit e saj, mungonte. Sipas policisë gjermane, vajza është dashur të shikojë autobusin duke u larguar pa praninë e saj, shkruan Merkur.de.
Vetëm duke i falënderuar një vozitësi gjerman dhe pasi në autobus u hetua mungesa e vajzës, për të dhe prindërit e saj gjithçka përfundoi si është më së miri.
Një pjesëmarrës 35-vjeçar i komunikacionit nga rrethina e Shtutgartit, e kishte vërejtur vajzën duke vrapuar pas autobusit. Ai e mori nën përkujdesje vajzën përderisa kishte arritur policia e alarmuar.
Pak pas arritjes së policisë, në vendngjarje, kishte arritur edhe autobusi nga Maqedonia, kështu që prindërit përsëri e përqafuan vajzën e tyre. Pak pasi ishte nisur autobusi, prindërit e kishin vërejtur se vajza nuk gjendej me ta në autobus. Vozitësi i autobusit ishte kthyer menjëherë në daljen e parë të autostradës për në pushimore, transmeton Shtegu.com
Familja nga Maqedonia e kishte falënderuar policinë gjermane, e posaçërisht vozitësin 35-vjeçar i cili ishte përkujdesur për bijën e tyre. Ky i fundit ishte shokuar nga ngjarja, pasi shumica e pjesëmarrësve në komunikacion e kishin injoruar vajzën edhe pse e kishin parë duke vrapuar me lot në sy pas autobusit, përfundon raportin e saj policia gjermane./Telegrafi/