Një muaj pas vrasjes së nxënësit 14- vjeçar Martin Cani, komuniteti i prindërve do të dalë sërish në protestë.
Mesditën e 18 dhjetorit ata do të mblidhen para shkollës “Fan Noli” për të kërkuar drejtësi për Martinin, siguri për fëmijët në shkolla dhe largimin e ministres së Arsimit nga detyra.
Prindërit shprehen se takimet me regji qendrore të qeverisë në shkolla nuk i kanë dhënë asnjë zë shqetësimit të tyre.
“Disa therje me thika mes të rinjve kanë ndodhur pas ngjarjes që i mori jetën Martinit. Ka patur therje me thika hapësira të ndryshme; në rrugë, në pallat, në një pallat sporti dhe brenda në shkollë. Çfarë duhet të ndodhë që siguria në shkollë të trajtohet si emergjencë kombëtare? Çfarë duhet të ndodhë që takimet në shkolla të mos jenë më takime propagande, por reflektimi i nevojshëm? Çfarë duhet të ndodhë më shumë që ministrja e Arsimit të japë dorëheqjen. Në një moment kur drejtësia për Martinin nuk është vënë dhe nesër bëhet një muaj dhe siguria në shkolla duket më e brishtë. Është detyrë e secilit prej nesh të reagojë ndaj kësaj situate. Nesër në orën 13:00 do të jemi te shkolla Fan Noli për të kërkuar drejtësi për Martinin dhe fëmijët tanë në shkollat shqiptare”, thuhet në njoftimin e protestuesve. /Telegrafi/