Prindërit që refuzojnë t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë pas zbutjes së masave mbrojtëse ndaj coronavirusit në Australi, mund të dënohen deri në njëmijë dollarë australianë.
Njeriu që është në krye të Australisë Perëndimore (Western Australia), Mark McGowan, ka prezantuar planin që kërkon nga nxënësit të jenë prezent fizikisht në shkolla që të ndjekin orët e mësimit, transmeton Telegrafi.
Sipas tij kjo gjë pritet të fillojë nga e hëna dhe McGowan beson se prezenca e tyre në klasa do ketë më shumë efekt në mësim, edhe pse shumë prindër janë ende skeptikë nëse është momenti i duhur për një gjë të tillë.
“Është koha që gjithë nxënësit në Australinë Perëndimore t’i kthehen shkollave dhe klasave. Vendimi im ka përkrahjen e ekspertëve të fushës së edukimit dhe të shëndetësisë”, ka shtuar McGowan.
Të gjithë ata nxënës që do të vazhdojnë të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre nuk do të furnizohen me materiale dhe do marrin mungesa, përveç nëse dokumentojnë mungesën e tyre në klasa për shkaqe shëndetësore.
Ministrja e Arsimit, Sue Ellery, pranoi se do të gjobiten me nga njëmijë dollarë australianë që gjithë ata që nuk ndjekin mësimin nëpër shkolla, dhe se ky është vetëm një nga ndëshkimet që i pret nxënësit dhe prindërit e tyre nëse nuk e respektojnë vendimin.
Frika nga coronavirusi nuk do të cilësohet si arsyetim dhe nuk do të ketë përjashtime në këso rastesh. Ndërkaq kujtojmë që në Australinë Perëndimore janë regjistruar vetëm tre raste me coronavirus në 14 ditëve e fundit, derisa vendi ka zbutur masat e sigurisë. /Telegrafi/