Site icon Telegrafi

Prindër kujdes! Indiferenca juaj krijon murin e heshtjes me fëmijën prandaj përkrahini dhe komunikoni për gjithçka

Mbas moshës gjashtë-shtatë vjeç dhe duke arritur kulmin në moshën 9 vjeç, fëmija fillon të përjetojë atë që shpesh quhet “kalimi”, kalimi nga fëmijë drejt të bërit i rritur. Po në këtë moshë fëmijët fillojnë të interesohen seriozisht për të mirën dhe të keqen. Ky “kalim” përjetohet nga fëmija me shumë ankth, pasiguri madje, shpesh, refuzon të shkëputet, pasi nuk di si të sillet.

Ilira Gjika,
Mjeke pediatre

Në këtë fazë fantazia, imagjinata, morali, psikika e parritur e fëmijës dhe gjuha, po gërshetohen për të realizuar njerëzoren dhe të rriturin. Nëse fëmija ka pranë të rritur të përgjegjshëm, sidomos prind dhe mësues që mund t’i thonë me qetësi dhe seriozitet: – është normale të ndjehesh në këtë mënyrë.

Ky “kalim”nga fëmijë për t’u bërë i rrituri, është i mbushur me pasiguri dhe shpesh nuk të pëlqen vetja. Kur del para “pasqyrës” mbase e sheh veten si një gjë koti. Ti po rritesh brenda vetes. Ato që deri tani ke mësuar “nga jashtë”, pra nga mami, babi dhe të rritur të tjerë, tani po i përdor për t’u bërë vetja.

Kurajo dhe më beso se edhe unë kam kaluar nga ky “kalim” apo “urë”. Kjo fazë është e mbushur si me “copa të shkëputura” që ende nuk lidhen dot me njëra tjetrën dhe kjo është arsyeja e përjetimeve të çuditshme që ndjen e provon.

Shpesh, nuk ke kurajo as t’i shprehësh nga frika se mos të tallin apo nuk të besojnë, se mos nuk po sillesh mirë, apo je i keq. Gjithashtu mendon se vetëm ty të ndodhin këto gjëra, të tjerët ja dalin lehtësisht. Nuk është e vërtetë, të gjithë kalojnë në këtë “rrugë” dhe nuk je vetëm ti kështu, prandaj, mos i ndrydh frikrat që provon brenda vetes.

Fëmija në këtë fazë po ndërton njohjen e botës jo më për së jashtmi, pra sipas shpjegimit dhe fjalëve të të tjerëve, por po e përjeton së brendshmi, brenda vetes dhe me veten tij. Po ndërton kufijtë e tij brenda dhe jashtë vetes dhe po ndërton marrëdhëniet me botën dhe tjetrin. Po njeh dhe kupton ligjet e natyrës dhe të njerëzores.

Vështirësia e kësaj faze është se fëmija i kësaj moshe nuk merret seriozisht. Ai shpesh etiketohet apo i vihet në dyshim ajo që thotë. Sidomos kur fëmija demonstron frikrat e tij dhe i rrituri me mendjelehtësi i drejtohet: “budalla apo budallaqe ç’janë këto që thua ku ka gjë këtu”. Fëmija vetë ka shumë frikë, madje refuzon të përballet me veten në mënyrë eksteriore.

Edhe fëmija më kurajoz kur ndjen indiferencën apo padurimin e të rriturit, ai hesht ose largohet duke u sjellë keq, por pa treguar shkakun e vërtetë dhe kështu vendoset heshtja ndërmjet të rriturit dhe fëmijës duke ndërtuar muret e heshtjes që nuk lejojnë komunikimin dhe njohjen e vërtetë.

Parents talking to teens
Exit mobile version