Princi Harry dhe e dashura e tij, aktorja Meghan Markle, mund të martohen në verë, me shumë mundësi brenda qershorit.
Shtypi britanik dhe amerikan raportojnë për këtë temë, sidomos tani që aktorja ka braktisur totalisht “Suits”, serialin televiziv ku ishte protagoniste për shtatë sezone.
Meghan, në fakt, ka lënë Kanadanë dhe është transferuar në Londër, dhe sipas Daily Star, çifti është në pritje të një përgjigje nga arqipeshku i Canterbury, Justin Welby, për t’u martuar në kishë, pasi aktorja ka një divorc mbi shpatulla.
Ajo u nda në vitin 2013 nga bashkëshorti i saj i parë, Trevor Engelson, pas dy vitesh martesë.
Nëse vjen miratimi, atëherë fjalën e fundit do ta japë mbretëresha Elisabeth II.
Në ndërkohë, është spekuluar se çifti do të fejohet për festat e fundvitit, kur edhe do të zyrtarizohen planet për martesë.
Burime të Daily Mail kanë thënë se pas zhvendosjes në Londër të Meghan, familja mbretërore pritet të njoftojë për fejesën e tyre.
“Ata kanë vendosur që dashurinë e tyre ta kurorëzojnë me fejesë gjatë festave të dhjetorit”, është cituar një burim. /TCH/Telegrafi/