Telegrafi

Princi i Belgjikës gjobitet me 10 mijë euro nga autoritetet në Spanjë, pasi shkeli rregullat e bllokimit nga coronavirusi

Princi i Belgjikës, Joachim, është gjobitur me 10 mijë euro nga autoritetet në Spanjë, pasi nuk u izolua me mbërritjen e tij në Madrid dhe frekuentoi një aheng në qytetin Kordoba, ndërsa vendi ishte në bllokim të rreptë për shkak të coronavirusit.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, skandali shpërtheu pasi Joachim udhëtoi nga Brukseli në Madrid, dhe në fund për në Kordoba, për të marrë pjesë në një aheng me 27 të ftuar të tjerë më 26 maj.

Bëhet e ditur se gjatë asaj kohe tubimet ishin të kufizuara në maksimum për 15 pjesëmarrës.

Princi më pas rezultoi pozitiv me coronavirus, dhe të gjithë të ftuarit në aheng u detyruan të vetë-izolohen.

Prania e Joachim, e zbuluar nga gazeta spanjolle El Confidencial, shkaktoi “tensione” midis dy shteteve, atë të Spanjës dhe Belgjikës.

Të mërkurën, autoritetet spanjolle gjobitën Joachim, pasi nuk u izolua kur mbërriti në Spanjë, siç ishte në atë kohë e detyrueshme. /Telegrafi/